Go Back Go Back
Go Back Go Back
Go Back Go Back

Një pjesë e imja!

Një pjesë e imja!

Histori

Një pjesë e imja!

calendar_today 04 February 2025

"Andi", një i ri i infektuar me virusin HIV veshur sportiv dhe me kapuç, foto nga pas për të ruajtur anonimitetin
"Andi", një i ri i infektuar me virusin HIV

“Jam falenderues që jam gjallë.” – kështu e nis tregimin e historisë së tij një i ri, i cili jeton me virusin HIV prej vitit 2009. Ai nuk ka dëshirë të identifikohet, ndaj në këtë shkrim do t’i referohemi si “Andi”.

Lindur në vitet ’80 në një familje me dy prindër të mirëshkolluar, Andit nuk i mungoi kurrë dashuria dhe kujdesi familjar, por vitet në të cilat ai kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën ishin jo më të mirat për Shqipërinë. “Jemi brezi i ’97-ës”, – shprehet Andi, adoleshent asokohe, duke pasur parasysh që Shqipëria e izoluar, e sapo dalë nga regjimi komunist, u përball me fenomene të panjohura për të, një prej tyre, droga.

Andi ishte një prej atyre të rinjve që nuk i shpëtoi dot këtij fenomeni, duke u bërë përdorues e i varur nga droga. “Jetoja në një botë surreale. Isha mësuar që çdo ndjesi ta përjetoja i droguar. Nuk dija si është të qeshësh apo të qash pa qenë nën efektin e drogës. Kisha humbur çdo lidhje me realitetin.” – shprehet Andi.

Gjithçka mori një kthesë të papritur në 2009-ën, vit i cili nuk do të fshihet kurrë nga memoria e tij. Përmes një analize, Andi mëson se është infektuar me virusin HIV. “U shkatërrua gjithçka para meje. Sikur m’u shemb gjithë bota mbi kokë. Fajësoja Zotin… thoja, pse më zgjodhi mua për ta vuajtur këtë?” – e kujton ai momentin kur u informua nga mjeku për infektimin. “Nuk e di nga u infektova, ndërkohë informacioni ishte shumë i pakët asokohe dhe HIV shihej si një virus vdekjeprurës, por që kishte edhe një ‘njollë turpi’ mbi shpinë, duke qenë se kryesisht transmetohet nga marrëdhëniet seksuale ose nga shkëmbimi i shiringave të përdorura të drogës.” – shton ai.

Ai kujton se duhet të rrinte i qeshur, ndonëse ishte i rrënuar emocionalisht, që familjarët të mos e kuptonin gjendjen e tij, duke iu shmangur pyetjeve që do vinin si rrjedhojë. “Personi i parë të cilit i tregova ishte një i afërm i imi, mjek me profesion. Ai më pas u tregoi familjarëve të mi. Ishte shumë e vështirë për ta, në fillim më panë me sy tjetër, por me kalimin e kohës e pranuan realitetin dhe më dhanë mbështetjen e tyre.”

Andi tregon se është përballur me paragjykime nga të afërmit, me raste, edhe nga personeli shëndetësor. Momentet kur ka dëshmuar hezitimin e personelit shëndetësor për t’i ofruar shërbimin e nevojshëm shëndetësor, apo momentet kur ka dëgjuar të afërmit e miqtë e tij të shprehen: “Mirë t’i bëhet, se drogaxhi ka qenë.”, kanë qenë shumë të vështira për Andin. Ai nuk e përtypi dot stigmën dhe paragjykimet që i erdhën si pasojë e sëmundjes dhe gjeti ngushëllim sërish te droga, duke “i bërë dëmin më të madh vetes”. “Ngushëllohesha me të, doja t’i arratisesha realitetit, shpeshherë nuk doja të jetoja më. Kam tentuar disa herë vetëvrasjen. Më dukej jeta pa kuptim. Kisha ëndërr të ndërtoja një familje e të kisha fëmijë.” – shprehet ai.

Por në këtë bashkëjetesë të gjatë me virusin, Andi kujton dhe vlerëson mbështetjen e dhënë si nga një pjesë e mirë e personelit shëndetësor, nga njerëzit e afërt në jetën e tij, si dhe nga Shoqata Shqiptare e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS. Ndërkohë, edhe pse e ka kaluar fazën më të vështirë të jetës së tij, i pyetur se si është të jetosh me HIV, ai thotë se është e vështirë. “Nuk kam pasur kurajë të dal hapur e t’ua tregoj të gjithëve statusin tim. Detyrohem të mbaj një maskë për të shmangur paragjykimet dhe stigmën. Mungesa e informacionit në Shqipëri është e madhe. Ka persona që nuk të japin dorën nga frika e infektimit. E unë, për të shmangur këto situata të vështira, vendos që të mos i tregoj gjithkujt.”

Andi, tashmë më i fuqizuar me informacionin e duhur rreth parandalimit, transmetimit e trajtimit të HIV dhe AIDS, i ka tejkaluar sfidat e lidhura me paragjykimet dhe stigmën dhe vë theksin te ndërmarrja e një fushate të gjerë informimi e ndërgjegjësimi, si në shkollë e jashtë saj, mbi sjelljet me risk nga të rinjtë, infeksionet seksualisht të transmetueshme, HIV dhe AIDS.

Ndërsa prevalenca e HIV në Shqipëri mbetet e ulët, infeksioni është i përqendruar te meshkujt. Transmetimi i infeksionit në 95% të rasteve vjen nga marrëdhëniet seksuale të pambrojtura, pa nënvlerësuar transmetimin nëpërmjet rrugëve të tjera. Në mënyrë alarmante, 40% e rasteve të reja diagnostikohen në një fazë të avancuar.

Analistja e Programit mbi shëndetin riprodhues dhe rininë në UNFPA Shqipëri, Dorina Tocaj, thekson se “paragjykimet, stigma dhe diskriminimi pengojnë aksesin në informacion dhe shërbime shëndetësore, përfshirë këtu dhe shërbimet për parandalimin dhe trajtimin e HIV dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme, kryesisht për grup-popullatat më vulnerabël e më të riskuara epidemiologjikisht ndaj HIV dhe AIDS. Pavarësisht arritjeve në vend, mbeten ende disa sfida të rëndësishme për t’u adresuar si mungesa e fondeve të qëndrueshme për të vazhduar programe të tilla si ato të shkëmbimit të shiringave e të tjera nisma që kanë në qendër parandalimin e transmetimit të HIV, Hepatitit B, C e Sifilizit, kryesisht për grup-popullatat më të riskuara. UNFPA, krahas përpjekjeve për informimin dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve, punon për shtrirjen e partneriteteve, konsolidimin e kornizës ligjore, politikave, sistemit shëndetësor dhe shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues në çdo nivel të kujdesit shëndetësor.”

Andi sot bën një jetë të qetë e të shëndetshme, duke marrë mjekimin e duhur. Ai bashkëjeton me një vajzë dhe pret me padurim të realizojë ëndrrën e tij, të bëhet baba. Andi gjithashtu ka dhënë kontributin e tij të vyer, duke përcjellë mesazhe promovuese për rëndësinë e jetës së shëndetshme, informimit dhe edukimit shëndetësor të brezit të ri, aksesit të barabartë në shërbimet shëndetësore dhe eliminimit të stigmës dhe diskriminimit për këdo që kalon sfida në jetë.