Gjëndeni këtu

14 maj, 2021, Tiranë - Mosdiskriminimi i grave nuk është vetëm një e drejtë themelore e njeriut, por edhe thelbësore për një të ardhme të qëndrueshme. Barazia gjinore duhet të jetë në themel dhe në zemër të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, për të siguruar rritjen ekonomike dhe përparimin e shoqërisë. Një kusht kritik për barazinë gjinore është mundësimi i grave për të zgjedhur të kenë familje, punë dhe karrierë dhe një të ardhme që duan.

Dëshmitë tregojnë se futja e politikave mbështetëse për familjen në vendin e punës - duke filluar nga koha fleksibile e punës, deri tek pushimi i zgjatur prindëror - ka përmirësuar mbarëvajtjen e punonjësve, tërheqjen e talenteve, inovacionin në vendin e punës dhe madje rezultatet e performancës. Me pak fjalë, është një situatë me përfitim për të gjithë. Sigurimi i fleksibilitetit në orët e punës është në qendër të këtyre iniciativave, duke u mundësuar prindërve të kenë kontroll më të madh mbi jetën e tyre në punë dhe jetën e tyre personale. Në thelb të të gjitha këtyre ndryshimeve është nevoja për norma më të barabarta gjinore. Kjo përfshin njohjen e kontributeve kritike që gratë mund të japin në shoqëri, si edhe rolin që burrat duhet të luajnë në punën e papaguar të përkujdesit në familje.

Një analizë e “Kompanive Pararojë për Mjedise Pune Miqësore ndaj Familjes në Shqipëri” e hartuar nga UNFPA Albania dhe DM Consulting Services, ka identifikuar nëntë kompani pararojë në tregun shqiptar që kanë krijuar mjedise pune miqësore ndaj familjes. Gjatë një projekti dy-vjeçar, UNFPA synon t'i bëjë këto Kompanitë Kampione (KK) partnerët kryesorë, si modele dhe zbatuese të praktikave dhe politikave të mira, që sjellin ndryshime konkrete për mjedise pune miqësore ndaj familjes dhe shpresojmë që kompanitë e tjera t'i bashkohen këtij rrugëtimi.

Përmes kësaj pune, objektivi është krijimi i rrjeteve, rritja e njohurive dhe të kuptuarit dhe ndërtimi i praktikave solide për mjedise pune miqësore për familjet, që do të jenë me përfitim si për punëdhënësit, ashtu edhe për punonjësit dhe biznesin në përgjithësi.

Takimi i parë i organizuar sot nga UNFPA, prezantoi nëntë KK me elementët themelorë të projektit, rrugën dhe punën përgjatë dy viteve të projektit, aktivitetet e planifikuara që do të ndërmerren dhe angazhimin e kërkuar nga kompanitë.

Gjatë këtij takimi, kompanitë patën mundësinë të ndajnë përvojat e tyre, të ofrojnë informacion dhe të dhëna për objektivat dhe aktivitetet e planifikuara dhe kontribuan në krijimin e një mirëkuptimi të përbashkët midis të gjithë partnerëve mbi projektin.

Ata gjithashtu diskutuan shkurtimisht mbi politikat që po aplikojnë për të krijuar mjedise pune miqësore për familjen.

Partnerë dhe mbështetës të tjerë strategjikë, të tillë si Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, DM Consulting, të pranishëm në takim, ofruan rekomandime për të siguruar një zbatim të suksesshëm të ndërhyrjeve.
 
Këto ndërhyrje janë pjesë e aktiviteteve dhe objektivave të projektit rajonal "Më Shumë Zgjedhje: Politikat Familjare të Përgjegjshme Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi" i zbatuar nga UNFPA dhe mbështetur financiarisht nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).